NJU JORK – KB: Keqinformimi për COVID-19 kushton jetë 

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Disa agjenci të Kombeve të Bashkuara paralajmëruan sot për dëmin e shkaktuar nga informacioni i rremë në lidhje me pandeminë e COVID-19.

“Keqinformimi kushton jetë njerëzish. Pa besimin e duhur dhe informacionin e saktë, testet diagnostike kalojnë pa u përdorur, fushatat e imunizimit (ose fushata për promovimin e vaksinave efektive) nuk do të përmbushin synimet e tyre dhe virusi do të vazhdojë të lulëzojë”, thanë në një deklaratë të përbashkët Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF dhe agjencitë e tjera.

“Gjithashtu, keqinformimi po amplifikon gjuhën e urrejtjes, po rrit rrezikun e konfliktit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, si edhe kërcënon perspektivat për përparimin e demokracisë”, vazhdon deklarata.

Agjencitë u bënë thirrje vendeve të zhvillojnë dhe zbatojnë plane veprimi për të promovuar shpërndarjen e informacionit të saktë dhe për të parandaluar përhapjen e informacionit të rremë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.