Ndryshimet në formulë/ Vasili: Nuk pranohet vetëm koalicioni i përbërë

TIRANË, 23 shtator /ATSH – I. Vata/ “Koalicioni sipas socialistëve me një listë të përbashkët pranohet, por nuk pranohet koalicion parazgjedhor”, tha sot nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, ndërsa deklaroi se nëse PS i del për zot të marrë përgjegjësi kaq të rënda do të përballet me pasoja.

“Asnjë nuk do rrijë me duar lidhur që të shikojë se si një grup politikanësh të rrëmbejnë vendin, të rrëmbejnë Kushtetutën dhe të rrëmbejnë gjithçka”, tha ai në një intervistë televizive.

I pyetur se çfarë ka parasysh me “pasoja të rënda”, Vasili tha “pasojat janë një zemërim shpërthyes i njerëzve dhe i gjithë klasës politike të përgjegjshme në vend, të gjithë atyre që e duan këtë vend, të gjithë atyre që nuk e duan një Shqipëri të shkretuar”.

Në lidhje me listat e hapura 100% dhe propozimin konkret të LSI-së, Vasili tha se “që në vitin 2017 kemi kërkuar lista të hapura ku renditja e kandidatëve bëhet sipas votave dhe këta nuk e morën parasysh, madje kemi bërë edhe grevë urie”.

“Listat e hapura janë një mashtrim pasi ato janë lista të mbyllura. Sistemi që është ka 1000 të meta, por ky sot është më i keq. Propozimi socialist është se një individ që merr zero vota hyn në parlament, dhe mund të marrësh mijëra vota dhe nuk hyn dot”, tha ai.

Sipas Vasilit, koalicionet parazgjedhore janë pranuar, por një variant i tyre nuk pranohet, koalicioni i përbërë.

Vasili tha se opozita nuk ka konfuzion brenda vetes.

“Nuk kam parë kurrë më parë një koalicion politik të bërë nga shumë forca politike që të kenë një koherencë të tillë, e cila ruhet solide prej vitesh”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.