Meta: Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar sot se respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mosdevijimi prej saj as një milimetër është hapi i parë për rikthimin e vendit në drejtimin e duhur.

Meta ka publikuar një tabelë të Eurostat ku tregohen aplikimet për azil në vitet 2010-2019 nga Siria, Afganistani, Irani, Iraku dhe Shqipëria, ku kjo e fundit renditet e katërta.

Meta është shprehur se, “Shqipëria nuk e meriton të renditet midis këtyre vendeve. Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane”.

“Mjaft me drejtimin e gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë  shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi. Hapi i parë për rikthimin në Drejtimin e Duhur është respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj as një milimetër. Të rikthejmë shpresën duke  rikthyer sovranitetin në duart e popullit, me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE!”, ka theksuar Meta.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.