Manastirliu: Nuk kemi kohë për vallen e Bashës, as nuk kemi pritur që të zgjohet nga gjumi i plazhit për të bërë detyrat tona

TIRANË, 23 shtator/ATSH/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka reaguar ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu kundërpërgjigjur se vendi nuk po përballet me asnjë katastrofë.

“Lulzim Basha është kthyer nga pushimet verore dhe me një lehtësi të mahnitshme, ka lajmëruar katastrofën! I ka kthyer mbledhjet me mjekët e partisë, njësoj si ato ritualet e fiseve primitive që kërcejnë me njëri-tjetrin dhe kërkojnë shiun të vijë. Prej gjashtë muajsh vallja e “thirrjes” së katastrofës nuk e ka sjellë “shiun” e pagëzimit të Lulzim Bashës si lider që nuk bëhet dot!

Nuk ka katastrofë. Ka një kohë sfiduese, për Shqipërinë ashtu si për çdo vend të planetit. Një kohë të cilën duhet ta përballojmë të gjithë së bashku. Qeveri dhe qytetarë.

Kushdo që dëshiron t’i bashkohet kësaj përpjekjeje, ndaj një pandemie që nuk e kërkuam vetë, ndaj një pandemie që vjen një herë në shekull, ndaj një pandemie që po sfidon mbarë botën: të gjithë janë të mirëpritur”, tha Manastirliu.

“E kam thënë që nga dita e parë. Ne nuk përjashtojmë askënd. Por as nuk kemi kohë për vallen e Lulzim Bashës, as nuk kemi pritur që Lulzim Basha të zgjohet nga gjumi i plazhit për të bërë detyrat tona. Me pasion, durim, përulësi!

Nuk jemi ndalur kurrë dhe do të vazhdojmë të shërbejmë çdo ditë, në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Ai është i pari’’, ka vijuar më tej Manastirliu në reagimin e saj.

Reagimi i ministres së Shëndetësisë vjen pas takimit të Bashës me mjekë, specialistë dhe anëtarë të Taskforcës së ngritur pranë PD ku Basha tha se situata në vendin tonë është në prag katastrofe. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.