Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian/ Hajdari: Plotësimi i vendeve vakante në gjyqësor, çështje imediate

TIRANË, 23 shtator /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Rudina Hajdari i ka bërë thirrje politikës, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuar me ligj që të kontribuojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Duke vlerësuar dhe mirëpritur vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të  anëtarësimit me Shqipërinë të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky vendim është vetëm fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë, i cili kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike, të qeverisë të institucioneve të pavarura kushtetuese, apo të krijuar më ligj, pushtetit lokal dhe angazhimin e shoqërisë civile për t’ia dalë mbanë që në fund të këtij procesi Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së”, theksoi ajo.

Në fjalën e saj, Hajdari vuri theksin të vazhdimi i procesit të Reformës në Drejtësi, kryesisht për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

“Referuar Reformës në Drejtësi është e rëndësishme që institucionet e pavarura të mos zvarrisin punën e tyre për ecjen përpara të proceduarave përsa i përket emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe krijuar kuorumin për t’i hapur rrugë plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi i vetmi vend në rajon pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një Gjykatë të Lartë që pothuajse nuk ekziston, ku numri i çështjeve të mbartura po i afrohet numrit prej 35 mijë”, tha ajo.

Duke iu referuar raportit të kryetares së KLGJ-së, Hajdari tha se “rezulton se 75% e gjykatave kanë funksionuar me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës”.

“Nga 408 gjyqtarë që është organika e miratuar me dekret të Presidentit ushtrojnë funksionin 294 gjyqtarë, ku sistemi ballafaqohet me 114 vende vakante për momentin. Plotësimi i vendeve vakante në gjyqësor është imediat dhe magjistratët e diplomuar gjatë vitit 2020 ende presin emërimin edhe pse disa prej tyre kanë kaluar dhe procedura e Vetingut”, u shpreh Hajdari.

Po ashtu, Hajdari e sheh si të rëndësishme përfundimin e Reformës Zgjedhore duke e konsideruar si prioritet kryesor.

“Referuar Reformës Zgjedhore përbën çështje që shihet me prioritet si nga Këshilli Politik, ashtu edhe nga parlamenti dhe është kryefjala e takimeve të mbajtura së fundmi”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.