Kantieri i ujit në Pogradec/ 24 orë ujë për 5776 banorë, mbështetje zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe ekonomisë lokale

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kantieri i ujit në Pogradec përfshin ndërtimin e infrastrukturës së plotë të ujësjellësit për Udënishtin dhe Memëlishtin, të shtrira përgjatë liqenit në hyrje të qytetit.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë investim i cili siguron furnizim 24 orë me ujë për 5776 banorë.

“Banorët prej më shumë se 2 dekada janë përballur me furnizim me ujë vetëm 2 orë në ditë prej infrastrukturës së sistemit të ujësjellësit tërësisht të degraduar. Tashmë janë realizuar 39% e punimeve, për të përmbyllur në 2021 këtë investim të rëndësishëm për 5776 banorë të këtyre dy zonave duke iu garantuar 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi”, tha Rama.

Ai theksoi se ky investim mbështet po ashtu edhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe nxit ekonominë lokale.

Investimi parashikon 7.2 km linjë të re dërgimi dhe 37.9 km rrjet të ri të brendshëm. Po ashtu është ndërtuar një depo e re uji 300 m3 dhe janë rikonstruktuar 2 depo uji me kapacitet 400 m3. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.