Guga: Kemi mësues në dispozicion për të zëvendësuar ata që karantinohen

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga deklaroi se në rast të infektimit të mësuesve me COVID-19, mësimi nuk do të ndërpritet, por do të zëvendësohen me mësues të cilët janë në dispozicion të kësaj situate emergjente.

Gjatë një interviste televizive Guga u shpreh se, nuk ka pasur asnjë problematikë nëpër shkolla në javën e dytë të nisjes së procesit mësimor, teksa ka theksuar se protokolli sipas saj po zbatohet me përpikëri në të gjitha institucionet arsimore.

“Jemi në javën e dytë të fillimit të mësimit në shkollë dhe të gjithë sistemit parauniversitar ka vijuar mësimi në këto ditë që ne po flasim. Është një vit i veçantë në dallim nga vitet e tjera ku të gjithë nxënësit dhe mësuesit janë të detyruar të zbatojnë një protokoll të rreptë të sigurisë së shëndetit në shkollë dhe më pas të vijojë me të gjitha procedurat e mësimit sipas planifikimit që ato kanë. Në të gjitha shkollat zbatohet një protokoll i rreptë i distancimit fizik, i higjienizimit, i mbajtjes së maskës të cilat janë të përcaktuara në protokollin e Shëndetësisë që është bashkëngjitur protokollit të Ministrisë së Arsimit. Brenda këtyre ditëve që ne po flasim, që ka filluar procesi mësimor në të gjitha shkollat është zbatuar me përpikmëri ky protokoll. Nxënësit pak a shumë janë orientuar në mënyrën e zbatimit, në lëvizjet e tyre nëpër klasa, në pozicionet që ata duhet të mbajnë dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me të gjithë koordinatorët që janë monitoruesit e procesit nëpër shkolla brenda nëpër shkolla, ky protokoll është zbatuar shumë mirë deri tani. Është një bashkëpunim shumë i mirë edhe me prindërit të cilët janë dakord që ky protokoll të zbatohet me të gjitha masat e përcaktuara në rregulloret e brendshme të çdo shkolle, që sigurisht kanë edhe specifikat e tyre të veçanta’’, u shpreh Guga.

Teksa sqaroi sesi do të bëhet zëvendësimi i mësuesve në rast të infektimit të tyre, Guga theksoi se, “është një numër i caktuar mësuesish në dispozicion të cilët do të jenë të gatshëm për të plotësuar ato mungesa mësuesish që do të rezultojnë të karantinuar”.

Edhe për rastet aktuale ku mësues të caktuar kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, mësimi nuk është ndërprerë. “Deri tani nuk është ndërprerë mësimi. Mësimi ka vijuar, mësuesit janë zëvendësuar pikërisht nga një kontingjent i caktuar mësuesish që Ministria e Arsimit dhe të gjithë drejtoritë rajonale dhe zyrat arsimore kanë në dispozicion, që janë mësues të sistemit, mësues nga portali apo praktikantët 1-vjeçar që bëjnë praktikën pranë shkollave tona. Këto janë në dispozicion për të plotësuar të gjitha rastet e mungesës së mësuesve në raste të infektimit të tyre”, bëri të ditur Guga.  z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.