Gjirokastër, ekspozitë me portrete e dokumente kushtuar Çerçiz Topullit në 140-vjetorin e lindjes

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në kuadër të aktiviteteve festive të organizuara me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Heroit të Popullit Çerçiz Topulli u çel sot në Gjirokastër ekspozita me portrete, dokumente, si dhe foto nga momente historike gjatë veprimtarisë të tij dhe të bashkëluftëtarëve.

Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës “Çerçiz Topulli më thonë”, ishte i pranishëm prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, familjarë, artdashës etj.

Ekspozita ishte përgatitur nga studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja. Aktivitetet e organizuara nga bashkia Gjirokastër do të vijojnë gjatë ditës së sotme si dhe në ditët në vijim në kuadër të javës së trashëgimisë kulturore.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prefekti i qarkut vlerësoi aktivitetet e tilla, të cilat shërbejnë për nderimin dhe përkujtimin me dinjitet të veprës së heroit Çerçiz Topulli, i cili duhet të respektohet përherë në kujtesën e brezave që do vijnë.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880 dhe luftoi kundër regjimit otoman në fillim të shek të 20. Një nga aktet më të njohura të tij ka qenë vrasja e Bimbashit turk (komandanti otoman i 1000 ushtarëve të stacionuar në Gjirokastër). Çerçizi së bashku me vëllain e tij Bajo, vrau Bimbashin në 25 shkurt 1908. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 1912, Çerçizi dhe luftëtarët e tij u angazhuan për të mbrojtur territorin e ri nga pushtuesit. Ai u vra në Shkodër duke luftuar me forcat malazeze.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.