Fuqia e transmetimit të virusit është ulur/ Në tetor pritet rritje e numrit të infektimeve me COVID-19

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në mes të tetorit do të ketë një rritje të numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19, pasi temperaturat do të ulen dhe mundësia e transmetimit të virusit do të rritet.

Kështu u shpreh drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj i cili ndër të tjera theksoi se aktualisht ka rënë transmetueshmëria e virusit.

“Kushtet ambientale ndikojnë shumë në virulencë, në përhapje dhe në infeksion. Këto numra që janë, nuk janë numra të larta në krahasim me grumbullimet dhe mundësinë e transmetimit të infektimit që ka pasur sidomos në mesin e korrikut, por edhe gushtit. Po ta lidhim me situatën si ka rrjedhur, normal që numrat duhet të ishin shumë më të mëdha”, tha Brataj.

Sipas tij, në muajin tetor do të ketë rritje të numrit të infektimeve, ndaj duhet treguar kujdes i shtuar.

“Do të ketë rritje të numrit në muajin tetor. Nga mesi i tetorit mendoj, sepse duke pasur parasysh fillimin e shkollave në mes të shtatorit, duke pasur parasysh që po shkojmë drejt uljes së temperaturave, do të mblidhemi më shumë dhe do të veprohet më shumë në ambientet e mbyllura, rritet shumë mundësia e transmetimit të virusit’’, u shpreh ai.

“Përshtatja me qenien humane e ka ulur disi fuqinë e virusit dhe kjo duket nga ana klinike në shfaqjen e sëmundshmërisë sot. Është 16,6% sot dhe forma e sëmundjes ka ndryshuar. Janë format e lehta që zgjasin 3-5 ditë, temperaturë 37 e gjysmë deri në 38, ndërsa shenjat e tjera janë më të dobësuara se më parë. Këto janë tregues në favorin tonë”, tha Brataj. z.tosku.//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.