Rindërtimi/ Shkolla “Shaqe Mazreku” në Durrës po rilind më e madhe e më bukur për 711 nxënës, hap dyert më 26 nëntor

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Rreth 711 nxënësit e shkollës “Shaqe Mazreku” në Durrës do të kenë në 26 nëntor ambiente të reja me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako, inspektoi sot punimet për ndërtimin e kësaj shkollë të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.

“Shkolla “Shaqe Mazreku” që po rilind më e madhe e më bukur për 711 nxënës dhe mësuesit, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane. Fëmijët dhe mësuesit e nëntëvjeçares “Shaqe Mazreku” në Durrës, do të rikthehen në nëntor në oborrin e tyre, ku në vend të ngrehinës së vjetër e të amortizuar, ndërtuar qysh prej vitit 1937, do të gjejnë një mjedis shkollor të denjë”, – theksoi Rama.

Kryeministri shpreh se “është rasti për të thënë për ata që vazhdojnë ankohen për Durrësin që jemi në prag të fillimit të punës për disa nga pallatet që janë në qytete, po finalizojmë projektin për zonën e re”.

“Po finalizojmë procedurat, sepse tani është pjesa që do mbulojnë miqtë tanë të Emirateve të Bashkuara, sepse ata kanë procedurat e tyre, pasi kjo është edhe çështje procedurash dhe marrëveshjesh, sepse nga pikëpamja e ritmit mjafton të shikosh BE që do të ndërtojë një pjesë tjetër të shkollave ende është në fazën kur nuk ka vendosur akoma gurin e themelit për shkak të procedurave”, – u shpreh Rama.

“Ne e kemi bërë këtë me shpejtësi të madhe. Do të ishte më shpejt nëse nuk do kishim momentin e ndërprerjes nga COVID-19, që krijoi një situatë pengese për procedurat dhe kompanitë”, – shtoi Rama.

Duke u interesuar gjithashtu për shembjen e pallateve, Rama tha se “njerëzit që kanë durim duhet ta kuptojnë që vetëm shembja e tyre brenda lagjeve do punë. Nuk mund t’i shembësh me dinamit se hedh në erë gjithë lagjen”, – theksoi ai.

Ministri Ahmetaj tha se “patëm provën e suksesshme për pallatet e mëdha që kanë edhe rrezikshmëri të lartë me IKMT, doli me sukses. Besoj brenda 2-3 javëve pallatet e mëdha rrëzohen. I kemi kaluar bashkisë së Durrësit gjithë fondin për ta pastruar nga inertet”.
Sipas tij, për 4 pallatet e parë në Durrës fillojnë punimet deri në 15 tetor”.

Ministri Ahmetaj tha se “këtë shkollë do ta përfundojmë në fillim të nëntorit, në 1 nëntor do ta kemi gati, me të gjithë pajisjet”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Sako tha se “mësimi nga me dy turne do të zhvillohet me një turn, falë standardeve që po përdoren për ndërtimin e shkollës. Kjo shkollë do të ketë 24 klasa, në katin përdhe objekti duke qenë se nuk ka shumë vend është më i mbyllur, rreth 300 m2”.

Inxhinieri i firmës që kryen punimet tha se “javën tjetër fillojmë me shtrimin e pllakave, ndërsa në të gjithë katet kemi përfunduar fazën e parë të instalimeve hidraulike e elektrike dhe nyjet sanitare”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.