Projektligji për përkthimin zyrtar, mundëson plotësimin e një hendeku ligjor

TIRANË, 22 shtator /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj së bashku me deputeten e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro Furxhi ka zhvilluar një tryezë konsultimi për projektligjin për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit.

Gjonaj tha se kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme, e cila do të mundësojë plotësimin e një hendeku ligjor duke i dhënë një kuadër rregullator ligjor këtij profesioni.

“Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e kushteve për mirëfunksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë dhe ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar si një profesion i lidhur me sistemin e drejtësisë në funksion të garantimit të një procesi të rregullt ligjor si dhe ushtrimit të veprimtarisë në mënyrë të pavarur dhe në mbështetje të ligjit”, tha Gjonaj.

Po ashtu Gjonaj ka shprehur mirënjohje për grupin të punës dhe ekspertëve të fushës për kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm rregullator për profesionin e përkthyesit.

“Falenderoj veçanërisht Kumbaron, e cila sot kryesoi këtë tryezë, se përtej funksionit publik dhe politik që ka mbajtur dhe që mban, ka një eksperiencë profesionale të gjatë si përkthyese dhe ka qenë një shtysë për realizimin dhe zgjeruar gamën e këtij projektligji përtej detyrimit të Ministrisë së Drejtësisë”, tha Gjonaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.