“Nuk preket marrëveshja e 5 qershorit”/ Gjiknuri: Të hapur për të dëgjuar propozimet e opozitës

TIRANË, 22 shtator/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “Këshilli Politik ka funksion konsultativ dhe nuk mund të kthehet në pengmarrës për të krijuar një krizë kushtetuese”.

I ftuar në një studio televizive, Gjiknuri tha se “ka ardhur momenti që opozita të vijë me një draft konkret, pasi qëllimi i Këshillit Politik është harmonizimi i interesave të palëve dhe më vonë nëse kemi mosdakordësi mund të kemi asistencën e ODIHR-it”.

“Në ndryshim nga hera e parë tani kemi një situatë krejt të re. Miratimi i ndryshimeve Kushtetuese dikton në mënyrë urgjente reflektimin në Kod. Ndryshe nga herët e tjera, ku kishim një guidë, rekomandimet e ODIHR-it që fatkeqësisht i lamë mënjanë, tashmë kemi një Kushtetutë të ndryshuar. Jemi në emergjencë kohore, ndryshe kryejmë vakum kushtetues ligjor. Këtë s’mund ta lejojmë”, tha Gjiknuri.

Ai tha se “Kodi aktual Zgjedhor ka rënë, pasi është ndryshuar Kushtetuta”. “Ka ndodhur një ngjarje më e madhe, është ndryshuar themeli. Duhet patjetër të adresojmë këtë pikë. Ne nuk po prekim marrëveshjen e 5 qershorit”, tha Gjiknuri.

Ai u shpreh se Kushtetuta parashikon koalicionet me një listë me barazi gare. “Brenda koalicionit ti bën një marrëveshje dhe përcakton edhe vendet e siglave. Partitë bien dakord për mënyrën se kush do t’i përfaqësojë dhe përcaktojnë emrat në listë”, tha ai.

Gjiknuri tha se “ndryshe nga sa u pretendua, koalicionet lejohen dhe përshtaten me çdo formulë që e kanë vendet europiane”.

Lidhur me vendosjen e pragut elektoral 3%, Gjiknuri tha se “janë të hapur për ta diskutuar dhe ka hapësirë për kompromis”. “Një parti që nuk ka 3% për çfarë hyn në arenën politike shqiptare? Pse janë vendosur pragjet në botë deri në 5%. Ideja është që nëse ti do të përfitosh nga mandati duhet të tregosh që ke një farë peshe elektorale”, tha ai.

Gjiknuri u shpreh se “ne jemi në çdo pikë gati për kompromis duket ruajtur disa parime”. “Duam të përfaqësohen ata që meritojnë, jo parti që nuk kanë vota fare. Të kemi ‘fair game’ duke pranuar koalicionet sipas modelit të vendeve të OSBE/ODIHR-it dhe listat e hapura ku i jepet mundësi zgjedhësit të votojë një nga emrat”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “listat e hapura pa asnjë lloj formule korrigjuese do sjellin probleme”. Ndaj Gjiknuri u shpreh për lista të hapura me elementë korrigjues balancues, që dhe lista e partisë merr vlerë, por edhe elektorati ka mundësi të korrigjoj. “Jemi të hapur për të dëgjuar propozimet e opozitës”, tha ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.