Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/PD letër ODIHR për 5 çështje

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ -Opozita jashtëparlamentare i ka drejtuar një letër OSBE/ODIHR-it ku kërkon përgjigje për 5 çështje kryesore të ngritura prej saj në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR anëtarët e Këshillit Politik të opozitës jashtëparlamentare theksojnë se, më pak se dy muaj pasi ligji i 23 korrikut rikonfirmoi mekanizmin ekzistues të koalicioneve dhe ndarjes së mandateve, partia në pushtet po propozon ta ndryshojë atë.

Sipas opozitës, mazhoranca propozon që në vend të listave të përbëra, koalicionet duhet të paraqesin një “listë të përbashkët” të vetme, e cila më pas do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e zgjedhjeve që rregullojnë transformimin e votave në vende.

“Modeli i listës së përbashkët dhe formula e lidhur me të për ndarjen e mandateve që partia në pushtet propozon, është zbatuar në zgjedhje të mëparshme midis 2000 dhe 2001 në Shqipëri dhe është shfuqizuar me konsensualitet dhe është zëvendësuar në 2003 me modelin ekzistues të listave të përbëra”, thuhet në letër.

“Opozita ka kundërshtuar propozimin e partisë në pushtet dhe ka kërkuar të ruhet mekanizmi ekzistues i “aleancës elektorale” me listat e përbëra dhe formulën përkatëse të ndarjes së mandateve që është tashmë në fuqi. Opozita gjykon se rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore midis partive politike kundërshtare si dhe shpërndarjen e mandateve në përputhje me votat përkatëse, nuk mund të ndryshohen pasi ka filluar procesi zgjedhor”, thuhet në letër.

Bazuar në këtë marrëveshje, opozita kërkon mendimin dhe ndihmën e ekspertëve të OSBE-ODIHR për 5 çështje, që kanë të bëjnë me mekanizmin e koalicioneve zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të dy palët, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera evropiane për zgjedhjet demokratike?”, është një nga kërkesat e opozitës drejtuar OSBE/ODIHR-it.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.