Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Bushka: Kushtetuta jep mundësinë që listat të jenë të hapura 100%

TIRANË, 22 shtator /ATSH – I. Vata/ “Kushtetuta ka vendosur një dysheme, që do të thotë se listat do jenë të hapura jo më pak se 2/3, që jep mundësinë që listat të jenë të hapura 100%”, tha sot deputetja e PS-së, Klotilda Bushka gjatë një interviste televizive.

Bushka tha se propozimi i PS-së edhe në Këshillin Politik dhe në Kuvend, drafti që tashmë është bërë publik, është detyrë e Kuvendit për të zbërthyer dispozitat kushtetuese në amendamente të Kodit Zgjedhor.

“Kushtetuta i ka vënë vijat e kuqe. Ka vendosur se sistemi proporcional rajonal në Shqipëri do jetë jo më me lista të mbyllura, por me lista të hapura”, tha Bushka.

Në vijim, Bushka tha se “Kushtetuta ka vënë disa kritere te tjera siç janë pragu kombëtar, si dhe detyrimi për respektimin e barazisë gjinore në lista, jo vetëm në përbërje të listës që paraqitet nga subjekte politike, por edhe në rezultate e ndarjes së mandateve. Ne duhet të garantojmë barazinë gjinore. Është një standard që tashmë Shqipëria e ka arritur, jemi shumë pranë në fakt për shumë pak zero përqindje, sepse aktualisht do 30% të grave në Kuvend, ama është një standard për të cilin kemi bërë hapa para dhe Kushtetuta e ka mbajtur parasysh këtë standard duke e parashikuar si një detyrueshmëri”.

Bushka shtoi se sistemi që kemi propozuar apo të gjitha mendimet e një sistemi proporcional rajonal me lista të hapura marrin në konsideratë këto piketa kryesore.

“Ne kemi gjykuar duke iu referuar modeleve të ngjashme me Shqipërinë siç është modeli kroat dhe modeli danez, që është i ngjashëm me modelin tonë, që në fakt Hajdari ka komentuar si jo të drejtë ketë propozim që kemi bërë ne, por ka qenë pikërisht Hajdari që e ka propozuar e para në Këshillin Politik modelin danez, kur në atë kohë të gjitha palët ishin të paqarta me hapjen apo jo të listave”, tha ajo.

Pyetjes së ky sistem është i ngjashëm me sistemin danez, Bushka tha se janë standarde të cilat janë marrë, jenë referuar në sisteme të ngjashme më të Shqipërisë. Janë sisteme me lista të hapura.

“Ne kemi adresuar të gjitha detyrimet e Kushtetutës me propozimet që kemi bërë. Është shumë kollaj të bësh kundërshti se ky sistem nuk vlen, por asnjë nga palët nuk ka sjellë kundërshti apo propozime se si mund të përmirësohet, apo sesi mund të kënaqim interesat e të gjithëve me këtë lloj sistemi. Listat janë të hapura për sa kohë zgjedhësve u ofrohet mundësia që përveç subjekteve politike, të japin votën e tyre dhe te një individ kandidat për deputet, pra do t’i japim zgjedhësit përveç të drejtës që ka patur deri më sot që të zgjedhë subjektin politik, por të votojë edhe emrin e një kandidati. Kjo është listë e hapur”, tha Bushka. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.