Meta dhe Duka urojnë Nezihat Stërmasin në 100-vjetorin e lindjes

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot, në 100-vjetorin e lindjes, Nezihat Stërmasin, bashkëshorten e legjendës së “Tironës” dhe futbollit shqiptar, Selman Stërmasi.

“Në 100-vjetorin e lindjes uroj Nezihat Stërmasin, bijën e derës së madhe Petrela, gruan fisnike që mishëron si askush tjetër traditën qytetare tiranase, tifozen më të veçantë të fanelës bardhë e blu. Gëzuar e jetofsh shekullin e dytë të jetës, me shëndet të plotë e me sa më shumë gëzime”, tha Meta.

Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, uroi Nezihat Stërmasin, bashkëshorten e legjendës së futbollit shqiptar Selman Stërmasi, me rastin e ditëlindjes së saj të 100-të.

Duka vlerësoi pasionin që familja Stërmasi ka treguar për klubin e Tiranës dhe për futbollin shqiptar në gjithë këto vite.

“Në këtë çast të gëzueshëm, më lejoni të vlerësoj pasionin që ju, bashkëshorti juaj Selmani dhe familja Stërmasi, keni treguar gjatë gjithë jetës tuaj shekullore, për futbollin. Ditët në vazhdim, qofshin sa më të lumtura për ju dhe të afërmit tuaj”, shprehet Duka në mesazhin e tij të urimit./m.m/  /ag//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.