Mësimi në godinën e shkollës 9-vjeçare “Besnik Syla”/ Guga: Bashkëpunim me shërbimin shëndetësor

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Nxënësit e gjimnazit “Arif Halil Sulaj” në Mamurras për shkak të  dëmtimeve që ka pësuar godina e shkollës nga tërmeti, e zhvillojnë mësimin në godinën e shkollës 9-vjeçare “Besnik Syla”.

Zëvëndësministrja e Arsimit, Sporti dhe Rinisë, Nina Guga ka informuar se java e parë e procesit mësimor për të dyja shkollat ka shkuar shumë mirë dhe nuk ka pasur raste të evidentuara me shenja të Covid-19.

Sipas Gugës, të dyja shkollat janë në bashkëpunim me shërbimin shëndetësor, ku në çdo ditë janë inspektuar institucionet arsimore në lidhje me situatën për shkak të pandemisë COVID-19.

Drejtoritë e të dyja shkollave kanë një bashkëpunim shumë të mirë me shërbimin shëndetësor të qytetit, i cili ka inspektuar shkollën çdo ditë.

Në këto dy javë mësuesit dhe nxënësit kanë vlerësuar rikthimin në konceptet e zhvilluara gjatë pandemisë në vitin e kaluar shkollor. Përforcimi i këtyre koncepteve është në ndihmë të gjithë nxënësve që mund të kenë hasur vështirësi të ndryshme gjatë periudhës së pandemisë.

“Me punë, vullnet dhe kujdes procesi mësimor do të lehtësohet për këtë vit shkollor të veçantë”, u shpreh zv.ministrja e Arsimit. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.