Lehtësimi i barrës fiskale për biznesin e vogël nisi që në vitin 2014/ Tatimi mbi të ardhurat u ul nga 10% në 7.5%

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se lehtësimi i barrës fiskale për biznesin e vogël nuk nisi sot, por që prej vitit 2014 kur Partia Socialiste erdhi në pushtet.

“Nëse kthehemi në kohë dhe shikojmë disa paketa fiskale të Partisë Socialiste është e dukshme tendenca për të ulur barrën fiskale për biznesin e vogël”, tha Denaj.

Në paketën fiskale të vitit 2014, bëri të ditur ajo, tatimi mbi të ardhurat për biznesin e vogël u ul nga 10% në 7.5% dhe u shfuqizua taksa e biznesit të vogël, nga ku përfituan rreth 60 mijë biznese.

Çdo biznes i vogël, tha Denaj, përfitoi mesatarisht 43 mijë lekë.

“Në paketën fiskale të vitit 2016 reduktimi vijon i ndarë në dy kategori. U reduktua tatimi mbi të ardhurat nga 7.5% në 0% për të gjithë bizneset me qarkullim vjetor 0 deri në 5 milionë lekë, ku përfituan 73 mijë biznese dhe 1.3 miliardë lekë në vit që merreshin në buxhetin e shtetit ,ju kthyen biznesit të vogël”, tha Denaj.

Po ashtu, vuri në dukje ministrja, u ul taksa e tatimit mbi fitimin nga 7.5% në 5% për bizneset me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë. Nga kjo masë, tha ajo, përfituan 15 560 biznese.

“Në paketën fiskale të vitit 2020, e cila u ratifikua në korrik në Parlament, u vendos që për të gjithë bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë tatimfitimi është zero”, deklaroi Denaj.

Më tej, shtoi Denaj, ne rritëm pragun e TVSH-së në 10 milionë lekë xhiro vjetore për gjithë bizneset.

“Më lejoni të theksoj edhe përpjekjen e madhe për të formalizuar biznesin e vogël. Më herët, në raport me pragun e TVSH është diskutuar pa fund pse u ul. Për një periudhë të caktuar kohe ky prag shkoi në 2 milionë lekë dhe u formalizuan 13 mijë biznese. Formalizimi i ekonomisë është objektiv i partisë Socialiste dhe sot kemi një numër të regjistruar biznesesh me rritje prej 55 % se sa në vitin 2013”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Ministrja u ndal edhe në lehtësitë për procedurat.

“E rëndësishme është të vendosim në fokus edhe shërbimin online të ofruar. Nga deklarimi mujor nga bizneset e kthyem në deklarim për periudha 3-mujore dhe sot deklarimet janë online. E gjithë përpjekja për të lehtësuar shërbimin e nisur në vitin 2018 u konkretizua në vitin 2019, ku 90 % e shërbimeve në administratën tatimore ndodh online”, tha Denaj.

Më tej, ministrja dha detaje edhe lidhur me paketën e parë financiare të akorduar nga qeveria për të mbështetur ato biznese që u mbyllën për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe individët që u prekën në punën e tyre.

“Në raport me paketën e mbështetjes së pandemisë, nga 65 mijë përfitues të paketës së pare, me 3 muaj pagesë për 3 muaj mbyllje u shpërndanë një total prej 5.1 miliardë lekë për më shumë se 39 mijë biznese”, deklaroi ministrja./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.