Hiqet taksa e ndikimit në infrastrukturë për procesin e Rindërtimit

TIRANË, 22 shtator /ATSH – I. Vata/ Qeveria ka vendosur të heqë taksën e ndikimit në infrastrukturë për procesin e Rindërtimit edhe për bizneset që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero gjatë fjalës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat tha se, “propozimin për reflektimin e këtij ndryshimi në ligjin për taksat vendore e bëri Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si një kërkesë që ka ardhur nga operatorët privatë të cilët kanë patur dëmtime dhe nevoja për riparime të strukturave ku ata kryejnë aktivitet, por bashkë me lejen e ndërtimit u është dashur të paguajnë edhe taksën e infrastrukturës”.

Taksa e infrastrukturës varion nga 4 deri në 8% e vlerës së investimit. Një fund të vitit që shkoi parlamenti e hoqi këtë barrë për rindërtimin e banesave duke përfshirë edhe riparimet e familjeve, por la jashtë kategorinë e bizneseve të dëmtuara. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi në fund të këtij muaji. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.