Gati 194 mijë aplikime online pranë ISSH-së, 46 % e shërbimeve nga qytetarë mbi 60 vjeç

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Nga janari kur hyri në fazën e zbatimit Revolucioni Dixhital e deri në gusht, përmes platformës e-Albania.al, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka marrë 194 mijë aplikime online.

Lajmin e bëri të ditur drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj. “92 mijë kanë qenë me vulë elektronike, pra nuk ka patur asnjë nevojë që qytetari të vijë në sportel. 46% e shërbimeve janë marrë nga qytetarë mbi 60 vjeç, që do të thotë se edhe mosha e tretë arrin të përdorë portalin”, tha Karçanaj.

Shërbimi më shumë i përdorshëm që ofrohet nga ISSH është aplikimi për pension pleqërie.

“Kemi shmangur jo vetëm vajtje-ardhjet nëpër zyra, por edhe dokumentet shoqëruese. Janë hequr 14 dokumente shoqëruese, të cilat nuk gjenerohen më nga personi që aplikon, por nga vet institucioni i ISSH-së, nëpërmjet sistemit të dedikuar dhe portalit e-Albania. Pra nuk ka më asnjë arsye të mbahet radhë e të rrezikohet jeta e të moshuarit. Qytetari aplikon, ISSH gjeneron dokumentet dhe plotëson dosjen dhe qytetari pret pensionin e parë”, shpjegoi Karçanaj.

Sipas Karçanaj, kush aludon se e-Albania nuk është për moshën e tretë gabon dhe faktet e tregojnë këtë. Janë 24 500 aplikime për pension pleqërie nga 1 janari./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.