FOTOGALERI/ Tirana i bashkohet qyteteve europiane në Ditën Ndërkombëtare pa Makina

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Edhe këtë vit Tirana i është bashkuar “Javës Europiane të Lëvizshmërisë”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin mjedisin dhe të përqafojnë qasjet e reja të transportit alternativ, duket ecur ose pedaluar më shumë.

Në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, bashkia e Tiranës organizoi sot një aktivitet që synonte nxitjen e qytetarëve në përdorimin sa më shumë të biçikletës dhe për ta bërë atë një mjet popullor në kryeqytet.

Me ftesën për të zbuluar dhe pedaluar në çdo korsi në Tiranë, Bashkia promovoi sigurinë në rrugë dhe biçikletën si mjetin më të shpejtë, më të shëndetshëm dhe social për të pedaluar Tiranën.

Bashkia e Tiranës nxiti po ashtu qytetarët që t’i lënë mjetet e tyre në shtëpi dhe t’i bashkohen aktiviteteve të “Ditës pa Makina” si këmbësorë, së bashku me familjen e tyre.

Në periudhën 16-22 shtator të çdo viti, me nismën e Bashkimit Europian, organizohet “Java Europiane e Qarkullimit”, e cila finalizohet me datën 22 shtator.

Kjo nismë europiane e ka zanafillën në Francë në 1998. U deshën vetëm katër vjet që ajo të bëhej një nga manifestimet me përfshirje më të madhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Qëllimi i nismës europiane është pikërisht ndërgjegjësimi për ndërmarrjen e politikave të suksesshme urbane nga vendimmarrësit për të mundësuar rritjen e transportit me mjete miqësore me mjedisin.

Në këtë kuadër, në kryeqytetet dhe në qytetet e Europës shmangen lëvizjet me makina dhe në vend të tyre përdoren biçikletat dhe ecja në këmbë.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.