COVID-19/ Përfaqësuesja e OBSH-së në Tiranë: Në Shqipëri nuk ka nevojë për mbyllje totale

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Përfaqësuesja e OBSH-së në Tiranë, Bettina Mene, deklaroi sot se pavarësisht se pritet që rastet me COVID-19 të rriten edhe në Shqipëri, nuk ka nevojë për një mbyllje totale.

Në një intervistë televizive, Mene tha se “tanimë situata është më qartë se në mars dhe sëmundja njihet”.

“Shkollat janë hapur tanimë dhe kthimi nga pushimet pritet të rrisë rastet e infektuara. Së pari, ne nuk kemi nevojë për një mbyllje totale. Çdokush nga ne është i lutur të respektojë masat mbrojtëse, të vendosë maskën, të ruajë distancat dhe të higjienizohet shpesh. E di që është lodhje dhe mundim i tepruar dhe kjo pandemi na ka stërmunduar, por duhet patjetër t’i bëjmë këto”, tha ajo.

Por Drejtoresha e Zyrës së OBSH-së në Tiranë ka një mesazh për bluzat e bardha që të mos neglizhojnë masat mbrojtëse.

“Mesazhi im i dytë shkon për të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Ju lutem punoni me veshje mbrojtëse, mos ekspozoni të sëmurët dhe mos u ekspozoni edhe vetë, pasi mundësia për infektim në spitale dhe qendra shëndetësore është e lartë”, tha ajo. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.