BRUKSEL – Uashingtoni presion Qipros të miratojë sanksionet e BE-së ndaj Bjellorusisë

BRUKSEL, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Uashingtoni po i bën presion Qipros të heqë veton e saj mbi sanksionet europiane kundër regjimit në pushtet të Bjellorusisë për të lejuar veprim të koordinuar midis SHBA-së dhe BE-së, tha sot Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çeshtjet Europiane, George Kent.

“Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë sanksione, por administrata e SHBA-së dëshiron ta koordinojë veprimin e saj me atë të BE-së”, deklaroi ai gjatë një vizite në Bruksel.

“Plani fillestar është të përpiqemi të njoftojmë diçka paralelisht me BE-në, këtë javë. Tani po presim që udhëheqësit europianë të na tregojnë qartë nëse ata mund të marrin një vendim”, shtoi Kent.

BE ka hartuar një listë me rreth 40 persona ndaj të cilëve kërkon vërë sanksione për rolin e tyre në manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi dhe dhunën në protestat kundër presidentit bjellorus Alexander Lukashenko./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.