Vasili: Qytetarët e prekur nga tërmeti rrinë akoma në çadra dhe kontejnerë

TIRANË, 21 shtator /ATSH – I. Vata/ Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot në 1- vjetorin e tërmetit të 21 shtatorit, duke akuzuar qeverinë se nuk ka asnjë plan për strehimin e qytetarëve.

Në një deklaratë për mediet, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se ndërkohë që “vjeshta ka hyrë, qindra dhe qindra familje vazhdojnë të ndodhen në kontejnerë, vazhdojnë të ndodhen në çadra apo të futur në rrënoja duke improvizuar ambiente sa për të futur kokën në një mizerje të pashpjeguar”.

“Ka mjaft familje që nuk kanë mundur të marrin bonusin e qirasë që u bëhet presion në mënyrë të përditshme, sikur ata kërkojnë favor dhe jo të drejtën e tyre legjitime të mbijetesës dhe e gjitha kjo në shumë raste është kthyer në një pazar të shëmtuar, ku qeveria përpiqet të shesë dhe të blejë hallin e njerëzve në një nevojë ekstreme”, tha ai.

Vasili shprehet se “dimri po afron sërish, qytetarët duan të shikojnë në mënyrë konkrete sesi zgjidhet halli i tyre në mënyrë të menjëhershme”. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.