Thaçi-Grenell, nënshkruajnë deklaratën e përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 21 shtator /ATSH/ Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan deklaratën e përbashkët, e cila garanton normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në nënshkrimin e marrëveshjes i pranishëm ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, emisari special i presidentit Donald Trump, Richard Grenell dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell për kontributin e jashtëzakonshëm në arritjen e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Për kontributin e jashtëzakonshëm në arritjen e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ambasadorin Richard Grenell e dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave. Shpreh mirënjohje të thellë për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së për liri e zhvillim ekonomik në Kosovë dhe paqe e stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Thaçi.

Ceremonia e dekorimit të ambasadorit Grenell u bë në ndërtesën e Qeverisë, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të Republikës të Kosovës dhe SHBA-së.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.