Rruga e re drejt kalasë së Beratit/ Standard e cilësi krejt e re shërbimi transporti për vizitorët e turistët

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër punimet që janë kryer në rrugën e re, që do të lidhë kalanë e qytetit të Beratit dhe do të çlirojë përfundimisht prej automjeteve rrugën këmbësore deri lart.

Rama theksoi se “kjo sjell një standard e një cilësi krejt të re shërbimi transporti për vizitorët e turistët, që në rritje të vazhdueshme vijnë drejt kësaj pasurie magjepsëse të trashëgimisë sonë Kulturore”.

Nisur nga fakti se kjo është një rrugë turistike, Rama kërkoi që muret anësore të jenë të suvatuara dhe të lyera.

“Më parë kjo ishte një rrugë që mund të ngjallej i vdekuri dhe vdisnin të gjallët kur e çonin në varreza”, tha Rama.

Në gjithë gjatësinë e rrugës është bërë uniformizimi i mureve të shtëpive. Rruga e re ka të gjitha parametrat dhe standardet e duhura dhe është e plotësuar me të gjithë elementët, me ndriçim e gjelbërim. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.