Rendi dhe Siguria/ 86 pika kontrolli në të gjithë vendin, 22 të arrestuar në flagrancë

TIRANË, 21 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë 22 persona gjatë 24 orëve të fundit. Arrestimet janë realizuar gjatë kontrolleve intensive të zhvilluara në të gjithë vendin në saj të planit për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit etj.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se, në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e Policisë Kufitare.

Sipas policisë, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit kanë funksionuar 86 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, si dhe janë shtuar patrullimet në kufirin jeshil dhe atë blu. Janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.

Policia sqaron se, si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar drogë dhe janë vënë në pranga autorët, janë kapur persona në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, janë goditur raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, të ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit etj.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 22 shtetas, janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, janë proceduar penalisht 7 shtetas, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas. Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 56 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete. Gjithashtu janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 17 automjete në gjithë vendin.

Rastet më kryesore: Në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, gjatë kontrollit të ambienteve, banesave dhe territorit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 203 kilogramë lëndë narkotike cananabis sativa. Është arrestuar në flagrancë shtetasi F. Z., 59 vjeç, banues në Zallë, Fushë-Krujë dhe janë shpallur në kërkim shtetasit E. Z., 32 vjeç, dhe F. Z., 29 vjeç, banues në Zallë, Fushë Krujë, (djemtë e shtetasit F. Z).

Në Tiranë, nga Forcat e Posaçme “Shigjeta” është kapur shtetasi i shpallur në kërkim S. T. (Z.), 22 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më datë 24.11.2019, ka qëlluar në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin I. A. Gjithashtu, ky shtetas është proceduar penalisht për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi gjatë verifikimit të gjeneraliteteve i ka dhënë punonjësve të Policisë një kartë identiteti të falsifikuar.

Në Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi G. S., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar 8 shtetas sirianë dhe nuk i është bindur urdhrit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar.

Në Korçë u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., banues në Pojan, Maliq, pasi transportonte 3 emigrantë të paligjshëm me një mjet që e drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Në Lezhë është arrestuar shtetasi G. K., 18 vjeç, banues në Rrëshen, pasi gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë narkotike. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.