Rasti i familjes Shahini nga Shijaku/ Iu dëmtua banesa nga tërmeti, Arbana fakton me dokumente: Tërhoqi këstin e parë më 5 gusht

TIRANË, 21 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Qytetari Shpëtim Shahini ka tërhequr këstin e parë të dëmshpërblimit më 5 gusht. Bashkia e Shijakut nxori dokumentet përkundër akuzave të Partisë Demokratike se bashkia Shijak se ka lënë në harresë qytetarin në fjalë.

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, ka publikuar këtë të hënë dokumentet ku faktohet se qytetari Shpëtim Shahini ka tërhequr këstin e parë të dëmshpërblimit më 5 gusht.  Në dokumentin e publikuar nga kryebashkiaku Arbana, faktohet se në shtëpinë e dëmtuar të Shpëtim Shahinit, banor i fshatit Shahinaj, Njësia Administrative Gjepalaj, grupi i verifikimit nga Bashkia Shijak ka qenë 3 herë i pranishëm dhe sipas ekspertizës shtëpia ka dalë me shkallë dëmi DS3. Kryefamiljari ka lidhur kontratë me Bashkinë dhe ka tërhequr këstin e parë në datën 5 gusht 2020.

“Dorjan Teliti u zgjua dhe këtë të hënë fillim jave me sytë e përgjumur të ndërgjegjes së tij politike, për të etiketuar një tjetër qytetar për thashethemin e radhës”, – thekson Arbana.

“Lajm i rremë… qytetari nga Shijaku nuk ka marrë asnjë lekë pas tërmetit…E vërteta: Qytetari nga Shijaku ka marrë dëmshpërblim nga Bashkia e Shijakut. Kësti i parë i dëmshpërblimit është tërhequr me 5 gusht”, – nënvizoi Arbana.

“Analiza kritike ndaj punëve tona të përditshme dhe shërbimit me devotshmëri ndaj njerëzve duhet të ketë pikënisjen te e vërteta. Ju nuk thoni të vërtetën”, – theksoi Arbana.

“Ju mbaheni në këmbë me gënjeshtra. Sulmet janë kthyer në obsesionin tuaj. Bashkia e Shijakut me mbështetjen maksimale të Kryeministrit dhe Qeverisë Shqiptare i është gjendur pranë këtyre familjeve menjëherë pas dy tërmeteve. Gjatë këtij viti kemi qenë prezent te këto familje për t’i zgjidhur problemet duke i dhënë zgjidhje me ndihmë konkrete. Ju u shfaqët tani pas një viti për të ushqyer popullin me gënjeshtra. I keni bërë ndonjëherë pyetjen vetes? Për çfarë do të mbaheni mend politikisht? Denoncim, shpifje… ky është leksiku që ju karakterizon”, – nënvizon kreu i bashkisë së Shijakut.

“Fakte! Në shtëpinë e dëmtuar të Shpëtim Shahinit, banor i fshatit Shahinaj, Njësia Administrative Gjepalaj, grupi i verifikimit nga Bashkia Shijak ka qenë 3 herë i pranishëm dhe sipas ekspertizës shtëpia ka dalë me shkallë dëmi Ds3.

Kryefamiljari ka lidhur kontratë me bashkinë dhe ka tërhequr këstin e parë në datën 5 gusht 2020. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!” – theksoi kryebashkiaku Arbana.

Dorian Teliti, përfaqësues i Partisë Demokratike, akuzoi bashkinë Shijak dhe qeverinë se ka lënë në harresë familjen e Shpëtim Shahinit nga Shijaku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.