OSLO – OJQ: COVID-19 ndikim shkatërrues në popullsitë më vulnerabël

OSLO, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Pandemia e COVID-19 ka një ndikim ekonomik shkatërrues në popullsitë më vulnerabël në botë, të zhvendosur apo që jetojnë në zonat e konfliktit, të përballur me urinë apo mosarsimimin, sipas studimit të një OJQ-je.

Në sondazhin “Spiral Downward” realizuar në 14 vende si Mali, Afganistan, Venezuelë…. Këshilli norvegjez prë Refugjatët (NRC) theksoi se rreth tre e katëra e 1 400 personave të pyetur flisnin për një përkeqësim të situatës së tyre për shkak të krizës shëndetësore.

Sipas këtij sondazhi, 77% prej tyre kishin humbur vendin e tyre të punës ose ishin përballur me një ulje të pagës që prej marsit, 70% iu është dashur të reduktojnë numrin e vakteve në familjet e tyre dhe 73% shprehen se nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të vështirësive financiare.

“Komunitetet më vulnerabël në botë janë në një spirale të rrezikshme në rënie”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i NRC-së, Jan Egeland, në një komunikatë.

“Tashmë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës, shpesh me të drejta të kufizuara për të punuar ose për të hyrë në shërbimet qeveritare, ndikimi ekonomik i pandemisë po i shtyn ata drejt katastrofës”, theksoi ai.

Para pandemisë, OKB-ja shqetësohej për përkeqësimin e urisë në botë.

Sipas një raporti vjetor të botuar në korrik, gati një në nëntë persona vuanin nga kequshqyerja kronike në 2019, një proporcion i vendosur për t’u rritur për shkak të COVID-19.

Sondazhi i NRC u realizua me rreth 1 413 persona në këto 14 vende, Afganistan, Kolumbi, Irak, Kenia, Libi, Mali, Uganda, Venezuelë, Somali, Republika Demokratike e Kongos, Liban, Jordani, Burkina Faso dhe Jemen./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.