Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Brenda 30 shtatorit të detyruar ta mbyllim procesin, përgatitja e zgjedhjeve sa më parë

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, brenda 30 shtatorit amendimet në Kodin Zgjedhor duhet të shkojnë në Kuvend.

Në një intervistë televizive, i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse PD nuk pranon të shkojë në Këshillin Politik, Gjiknuri tha se “nëse ata nuk vijnë, jemi të detyruar që brenda 30 shtatorit ta mbyllim këtë proces, pasi nuk pret më koha. Në tetor do të zgjidhen dhe organet e reja të KQZ-së dhe natyrisht duhet të bëhet dhe përgatitja e zgjedhjeve sa më parë. Kështu që amendimet në Kodin Zgjedhor, vetëm për këto çështje, jo për Marrëveshjen e 5 qershorit, duhet të shkojnë sa më shpejt për t’u votuar në Kuvend”.

“Partia Demokratike, nëse ka pretendime duhet t’i sjellë ato në Këshill. Por, PD ka një qasje tjetër, sepse ajo nuk pranon ndryshimet kushtetuese, nuk pranon që jemi në një regjim të ri ligjor kushtetues sa i përket çështjes së koalicioneve dhe vazhdon qëndrimet e saj që më shumë janë taktika politike sesa një debat në një draft. Kështu që në këtë pikëpamje modeli që kemi paraqitur ne është një model i aplikuar në shumë vende europiane, madje modeli që ne kemi sjellë është shumë i ngjashëm me atë që ka propozuar vetë Hajdari 2 ose 3 muaj më parë në Këshillin Politik”, tha Gjiknuri.

I pyetur pse renditja e listës është lënë që të bëhet sërish nga kryetarët e partive dhe jo sipas rendit alfabetik, Gjiknuri u shpreh se, “askush nuk thotë që duhen shkrirë partitë politike. As që partitë politike janë institucione të panevojshme për jetën politike në vend dhe kryetari i partisë është ai që rendit kandidatët. I takon zgjedhësit të përmbysë këtë renditje. Sepse zgjedhësi voton për partinë, voton dhe për kandidatin. Do të thotë që nëse lista që ka propozuar kryetari i partisë nuk është ajo e duhura, zgjedhësit e kanë mundësinë ta përmbysin këtë”.

Por, shtoi Gjiknuri, “nuk mundet dot që sistemi ynë shqiptar të eksperimentojë nga një sistem plotësisht i mbyllur, në një sistem kaotik me individë, të cilët nuk përfaqësojnë partitë politike. Sepse ndryshe pastaj për çfarë i duam partitë politike? Çdo zgjedhës shkon aty, shënomëni edhe mua, të futem dhe unë në listë. Nëse ti kërkon të kandidosh përtej partive politike dhe pretendon që ke më shumë vota sesa forca me të cilën ti kandidon, kemi dividentin politik këtu. Ti kur shkon konkurron me siglën time, do të thotë ti kërkon vota në elektoratin tim. Nëse ti paske më shumë vota sesa elektorati im tradicional, apo je një njeri që ke një peshë shumë më të madhe në një zonë të caktuar, ose shko i pavarur ose futu në një renditje më poshtë, por ligji ta jep mundësinë. Nëse ti ke vërtetë peshë kaloje një prag të caktuar në bazë të formulës e automatikisht zgjidhesh dhe kjo bën që lista nuk është e mbyllur përkundrazi kryetari i partisë nuk e di çfarë emrash do të fusë në listë”.

Por, theksoi Gjiknuri, “Kushtetuta thotë se listat paraqiten nga partitë politike dhe në zgjedhje konkurrojnë partitë politike, ose kandidati i propozuar nga zgjedhësit. Kështu e ka, Kroacia, kështu e ka Austria, Holanda, kështu e ka Danimarka. Ka shumë shtete që e kanë kështu dhe ka arsye. Se ne nuk mund të shkojmë në një sistem totalisht pa rregull, pa rend, totalisht kaotik, i cili mund të sjellë probleme të mëdha në përfaqësim dhe nesër në qëndrueshmërinë e qeverisjeve”.

I pyetur sesi do të votojë qytetari Gjiknuri tha se, “ne mendojmë që duhet të jetë një fletë votimi për ta pasur procesin të thjeshtë. Në një fletë votimi qytetari do të votojë partinë politike që zgjedh, i vë kryqin asaj, ose koalicionin sepse ka dhe koalicione parazgjedhore, përtej asaj që thotë PD, koalicioni është i sanksionuar në Kod. Pra zgjedh një nga emrat e listës që ka paraqitur koalicioni dhe vota tjetër përdoret për emrin. Pra qytetari duhet të bëjë dy zgjedhje, partinë dhe emrin e kandidatit dhe kjo realizon edhe frymën dhe qëllimin që ka Kushtetuta. Konkurrojnë partitë, por zgjedhësi ka të drejtë të japë votë parapëlqyese dhe të rirendisë listën e forcës politike. Këtë synon dhe sistemi dhe dispozitat kushtetuese”.

I pyetur nëse pragu 3% i dëmton partitë e vogla, Gjiknuri tha se, “është një nivel pragu që sot në Kodin Zgjedhor ka qenë 3% në nivel qarku”.

“Ishin partitë e vogla që propozuan ndryshimet kushtetuese dhe në fillim kërkuan 5%, por më vonë u ra dakord që kjo gjë të përcaktohet në ligjin zgjedhor. PS është e hapur për diskutime në lidhje me pragun që të jetë një prag i pranueshëm që dhe krijon mundësi gare, konkurrence, por njëkohësisht jep njëlloj qëndrueshmërie se pragjet nuk janë vënë kot. Nuk janë kot pragjet elektorale dhe pikërisht prandaj vlen dhe pragu brenda listës dhe pragu për forcat politike që ti demonstron që ke një peshë. Pra mandati i përfaqësimit përfaqëson një elektorat, jo thjesht një parim proporcionaliteti atje, një formulë që edhe pa vota ti përfaqësohesh në Kuvend. Megjithatë kjo është për t’u diskutuar dhe ne jemi të hapur për kompromis”, u shpreh Gjiknuri.

/gj.mima/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.