Ndryshimet e Kodit Zgjedhor/ Shameti: Koalicionet e partive politike brenda një liste të përbashkët

TIRANË, 21 shtator /ATSH – I. Vata/ “Koalicionet e partive politike do të jenë brenda një liste të përbashkët”, deklaroi sot deputeti i PS-së dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm për ngritjen e KQZ-së, Adnor Shameti në një intervistë televizive.

Në lidhje me koalicionet politike, Shameti tha se lejohen koalicionet e partive politike, por brenda një liste, pasi nuk ka në asnjë vend të  BE-së që të ketë atë lloj sistemi të përbërë listash të aplikuar të paktën në 2-3 zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

“Është krejt demokratike që disa parti politike të bëhen bashkë dhe të bëjnë një grup kandidatësh, individësh të caktuar që të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme politike. Prandaj është alibi e kotë nga opozita jashtëparlamentare për shmangien e koalicioneve”, tha ai.

Në lidhje me konfliktin me opozitën jashtë parlamentarë përsa i përket heqjes së koalicioneve parazgjedhore, Shameti tha se vetë ndryshimet kushtetuese e heqin definicionin e koalicioneve në nivel kushtetues, kështu të  gjithë artikulimet, teknikalitetet do të bëhen brenda kësaj pakete, këtij propozimi, këtij projekti në ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor së pari, dhe pastaj në shtatë ligjet e tjera që janë komplementare dhe duhet të ndryshojnë në frymën  e paketës së miratuar me 5 qershor dhe ndryshimeve kushtetuese.

Në lidhje me pragun 3% për koalicionet dhe për partitë jashtë koalicionit, Shameti tha se ne nuk kemi pasur pretendim në kuptimin formal juridik, në kuptimin e një pragu të  caktuar elektoral kombëtar për subjektet të caktuara politike. Ka qenë një nismë origjinale e propozuar nga vetë firmëtarët e ndryshimit të Kushtetutës.

Në lidhje me barazinë gjinore, Shameti tha se “në draftin e paraqitur nga Gjiknuri për azhornimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme është e përcaktuar se përmbysja e listës nga një kandidat që merr një votë më shumë sesa mesatarja e votave të partisë në atë qark për t’u bërë deputet, nëse është zonjë ajo që duhet t’i zërë vendin atëherë kapërcehet lista dhe do të zëvendësojë një burrë dhe jo një zonjë”.

Në lidhje me propozimin e deputetes së opozitës Rudina Hajdari për hapjen 100% të listave sipas rendit alfabetik, Shameti tha se vlerëson shumë çdo propozim të çdo deputeti të Kuvendit. “Hajdari është një deputete e thjeshtë e Kuvendit dhe si e tillë janë të ftuar të gjithë kolegët që të sjellin qëndrimin apo alternativën e tyre gjatë procesit ligjvënës për kthimin në një ligj në Kuvend. Në dijeninë time, Hajdari nuk është kryetare e grupit parlamentar Demokrat dhe si e tillë e ka humbur dhe vendin pjesëmarrës në Këshillin Politik”, u shpreh Shameti.

“Qëndrimi i Hajdarit do të shikohet gjatë shqyrtimit nëse Këshilli Politik do mblidhet, sepse nuk është me detyrim mbledhja. Gjiknuri u ka bërë ftesë anëtarëve të Këshillit Politik për të marrë pjesë e për të paraqitur variantet e tyre që mund të kenë, e në përfundim Parlamenti do ushtrojë funksionin e vet legjislativ për të përmbyllur procesin në kohën e duhur me qëllim që Shqipëria të ketë zgjedhje më 25 prill”, u shpreh Shameti. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.