Meta sjell fjalët e Papa Françeskut në 6-vjetorin e vizitës në Shqipëri/ Ku ka rini, ka shpresë

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka rikujtuar sot fjalët e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri 6 vite mē parë.

“Në 6-vjetorin e vizitës së Tij në Shqipëri, të mos harrojmë porositë e mençura të Papa Françeskut: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Kam parë kaq shumë të rinj, ndaj ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik””, është shprehur Meta.

“Të bëjmë gjithçka që shqiponjat të qëndrojnë e të kthehen në folenë e tyre, dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve, si një vend plotësisht demokratik, i respektuar dhe me dinjitet në Europë”, ka apeluar Presidenti Meta.

““Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ‘Ku ka rini, ka shpresë”, tha Papa Françesku në Tiranë. Koha nuk pret më. Të kthejmë shpresën për rininë dhe për të gjithë shqiptarët”, ka theksuar Meta.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.