Listat e hapura 100%/ Manja: Kandidatët do t’i nënshtrohen votës parapëlqyese të qytetarëve

TIRANË, 21 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, duke folur për draftin e propozuar nga mazhoranca në tryezën e Këshillit Politik për adresimin e ndryshimeve kushtetuese të votuara në Kuvend, u shpreh se propozimi hap 100% listat.

Ai shtoi se kjo formulë e propozuar nga përfaqësuesi socialist në tryezën e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, merr në konsideratë ofertën politike të partisë dhe kandidatin, pasi secili kandidat, edhe ai i fundit në listë, mund të përmbysë listën duke marrë mandatin.

“Ndryshimet kushtetuese morën në parlament mbi 106 vota. Është përcaktuar në Kushtetutë hapja e listave dhe askush nuk i mbyll dot më listat për zgjedhjet e 25 prillit 2021, sepse risitë e atyre ndryshimeve kushtetuese këto ishin, hapja e listave, dhënia e votës parapëlqyese qytetarëve, respektimi i kuotës së përfaqësimit gjinor, pragu kombëtar dhe koalicionet parazgjedhore dhe të gjitha këto problematika iu adresuan ligjit zgjedhor”, – u shpreh Manja.

“Votimit parapëlqyese i nënshtrohen 100% e kandidatëve në një qark të caktuar. Marrim qarkun e Tiranës si shembull. Të gjithë kandidatët që do të rendisë subjekti politik në listë, sipas rendit numerik, do t’i nënshtrohen votës parapëlqyese të qytetarit. E thënë më qartë, sigurisht që ka një formulë të ndarjes së mandateve brenda subjektit politik, pas procesit zgjedhor, e cila merr në konsideratë peshën politike të subjektit dhe peshën e specifike të votave të marrë nga kandidatët”, – sqaroi Manja.

“Në zgjedhje konkurrojnë partitë politike, por konkurrojnë dhe kandidatë të pavarur. Historikisht përgjatë gjithë proceseve elektorale, pavarësisht se si ka qenë ligji zgjedhor, listën pas ndryshimeve të vitit 2008 me sistemin proporcional rajonal, e hartojnë strukturat e partisë dhe e dorëzon me firmë kryetari i partisë politike, i cili bënë një renditje të kandidatëve. Marrim një shembull. Unë si PS, vij në qarkun e Tiranës me këtë ofertë politike dhe këtë renditje të kandidatëve. Kjo është preferenca ime politike, si parti politike. Tani, pas përfundimit të procesit zgjedhor, votës parapëlqyese i nënshtrohen të gjithë kandidatët e listës, i nënshtrohen votës së qytetarëve. Në rast se qytetarët nuk janë të kënaqur me renditjen që ka bërë partia politike për kandidatët, përmes votës parapëlqyese bënë një rirenditje të listës së kryetarit. Këtu sigurisht ka një rregull. Në rast se PS në Tiranë merr x mandate, atëherë pragu i votave që ka marrë PS për një mandat, nëse ky del 10 000 vota, kandidati për t’u bërë pjesë e listës fituese dhe për të spostuar listën e kryetarit do duhet të ketë kaluar këtë shumë votash”, – u shpreh Manja.

“Këtë model e kanë shumë shtete demokratike në Europë. E ka Kroacia, e ka Austria, e ka Danimarka dhe shumë shtete që aplikojnë sistem proporcional me lista të hapura. Ka një rregull se si përfitohet mandati. Më fal, nëse ti ke nevojë si kolateral siglën e partisë, të cilën konkurron, ti garën e ke me veten dhe me partinë. Dhe nëse je një kandidat potencial, i pëlqyer për zgjedhësit dhe ke ardhur ke marrë siglën time, sigurisht që ti do t’i nënshtrohesh këtij rregulli. Për të marrë mandat nga partia do ta kalosh pragun e votave që kësaj partie i kanë takuar për një mandat. Edhe ti për fituar duhet të kesh kolateralin tënd, nëse s’ke nevojë për siglën e partisë time dil i pavarur dhe nëse votojnë qytetarët shqiptarë merr mandatin e hyn në parlament”, – tha Manja.

“Pragu i mandatit varet nga pjesëmarrja në votime, pra sa është pjesëmarrja, numri zgjedhësve që votojnë në një qark të caktuar dhe numrin e votave që merr një parti politike dhe fillimisht bëhet ndarja e mandateve mes partive garuese në zgjedhje, apo koalicioneve, dhe pasi sigurohet se cili është numri mandateve që ka marrë ai subjekt politik në atë qark, bëhet pjesëtimi i votave të subjektit me numrin e mandatave të fituara dhe del pragu për një deputet në qark për subjektin politik”, – theksoi Manja.

“Ka gjasa të mbetet lista e partisë, por është një sistem zgjedhor, një formulë që aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 dhe askush nuk është në gjendje sot të thotë se si do të jetë sjellja e votuesve dhe mund të ndodhë që zgjedhësit e spostojnë 100% listën, ta përmbysë plotësisht renditjen e subjektit politik. Mund të ndodh. Kjo është çështje se si do veprojnë zgjedhësit”, – tha Manja.

“Një sistem që nuk është aplikuar ende. 25 prilli do jetë hera e parë që do të aplikohet sistemi i listave të hapura dhe kjo formulë për shpërndarjen e mandateve dhe të thuash sot që lista është e mbyllur, nuk është. Kjo hap garën brenda kandidatëve të një subjekti politik. Hap një garë të ndershme, por sigurisht duke u vendosur ky prag, ruhet dhe uniteti i kandidatëve të një subjekti politik”, – tha Manja.

Manja theksoi se drafti i mazhorancës ka përcaktuar hapjen e listave 100%, votën parapëlqyese, dhe ka marrë në konsideratë dhe respektimin e kuotës gjinore dhe ka rregulluar koalicionet zgjedhore.

“Vijat e kuqe të këtij kompromisi për ndryshimet e Kodit Zgjedhor që do duhet të marrin rrugë në procedurë parlamentare brenda 30 shtatorit janë përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të votuar në 30 korrik. Sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk është prekur, pra proporcional rajonal me konkurrim rajonal në 12 qarqet. E reja është hapja e listave dhe vota parapëlqyese e qytetarëve dhe që konceptin e koalicionit parazgjedhor, Kushtetuta ia delegon ta zgjidhë Kodi Zgjedhor dhe në draftin tonë përcaktohet dhe definicioni i koalicionit”, – theksoi Manja.

“Ne presim një draft nëse opozita ka propozime konkrete për reflektimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese përmes tryezës së Këshillit Politik, ose përmes propozimeve në Komisionin e Ligjeve. Por vijat e kuqe janë të caktuara në Kushtetutë. Ka pasur propozime nga opozita parlamentare për çështjen e pragut. Çështja e pragut është propozuar 3%, por kjo mund të rishikohet. Hapja e listës 100% dhe respektimi i kuotës gjinore 30% nuk diskutohen”, – shtoi Manja. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.