Kurs profesional për udhërrëfyes turistik, nxitje punësimit dhe zhvillimit të turizmit në Lezhë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Turizmi vijon të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë në Lezhë, ndaj dhe certifikimi për herë të parë i udhërrëfyesve turistikë në këtë bashki vlerësohet si një nismë shumë e rëndësishme.

Një kurs 4-mujor intensiv u mundësua falë bashkëpunimit të bashkisë Lezhë me Zyrën Rajonale të Punësimit në qark dhe u ka dhënë mundësi disa të rinjve të papunë që të profilizohen dhe certifikohen në këtë fushë.

Kursi nisi këtë mes shtatori dhe pavarsisht se i reduktuar për shkak të masave kundër COVID-19, sërish shihet si një armë e fortë në zhvillimin e ketij sektori.

Kjo risi shikohet si një domosdoshmëri për të ndikuar në mënyrën e promovimit direkt tek vizitorët dhe turistët si dhe të prezantojë resurset e shumta ende të pashfrytëzuara siç duhet në këtë njësi vendore.

Në vite, Lezhës i kanë munguar udhërrëfyesit turistik duke bërë që agjencitë turistike të shmangnin këtë zonë osë në rastin më të mirë të kontraktonin udhërrëfyes nga qytete të tjera.

Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Oliana Moriseni tha së këta të rinj që do të certifikohen si udhërrëfyes turistik, do të jenë pjesë e promovimit të Lezhës që mikpret qindra-mijë vizitorë e turistë çdo vit.

“Ky kurs ka qenë një domosdoshëri për Lezhën. E them me bindje se këta udhërrëfyes do të japin kontributin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në zonën tonë duke ofruar informacion, shërbime dhe prezantim të çdo elementi turistik që për fat të mirë janë të shumtë në Lezhë. Kursi për udhërrëfyes është në dobi të këtyre të rinjve që janë pjesë e tij, do të jetë në shërbim të operatorëve turistikë që duan të afrojnë më shumë për klientët e tyre, por është mbështetje edhe për bashkinë e Lezhës që të prezantohet denjësisht dhe të ofrojë shërbime që kanë munguar më parë”, tha ajo.

Ata do të jenë nxitje edhe për shtimin e numrit të vizitave në objekte kulti, zona malore, atraksione natyrore, në sitet arkeologjike dhe asetet e historisë duke kaluar nga një turizëm që zhvillohet vetëm gjatë stinës së verës në një turizëm që njeh rritje edhe gjatë periudhës tjetër të vitit.

“Ne po presim që grup i parë i këtyre udhërrëfyesve të rinj të vijojnë punën e tyre me qëlllim që ne të shkojnë në të tjera nisma e projekte në shërbim të sektorit të turizmit”, tha Moriseni.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.