Krimi i organizuar, ndër sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë që prej fillimeve të tranzicionit

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli zhvilloi një bisedë me Guujse Korthals Altes, ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, për një qasje gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë takimit të mbajtur online, Leli theksoi ndër të tjera se krimi i organizuar ka qenë një nga sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë, që prej fillimeve të tranzicionit në vitet 1990 deri në ditët e sotme.

Sipas kryetarit të bashkisë së Vlorës, veprimtaria e grupeve kriminale ka rritur ndikimin mbi ekonominë, ndaj edhe BE ka vendosur që kjo të jetë një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë në procesin e integrimit europian.

“Krimi i organizuar ka qenë një nga sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë që prej fillimeve të tranzicionit në vitet 1990 deri në ditët e sotme. Në vite, grupet kriminale kanë ardhur duke e sofistikuar veprimtarinë e tyre dhe rritur ndikimin negativ mbi ekonominë, shoqërinë dhe politikën e vendit. Kjo ka bërë që Bashkimin Evropian ta vendosë luftimin e efektshëm të krimit të organizuar si një nga priorititet kyçe për Shqipërinë në procesin e integrimit Europian’’, tha ndër të tjera Leli gjatë takimit virtual me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës. z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.