Kalaja e Beratit, atraksion i përhershëm turistik/ Kallfani për ATSH-në: Destinacioni i rreth 17 mijë vizitorëve vendas e të huaj në janar-shtator

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum tërhoqi sërish një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2020.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “që prej janarit deri tani kalaja e Beratit u vizitua nga 16.700 vizitorëve nga të cilët 3532 ishin të huaj”.

“Janë shifra goxha më të ulëta në krahasim me vitet e tjera, por gjithsesi në krahasim me sitet e trashëgimisë dhe kalatë e tjera, kalaja e Beratit ka pasur një frekuentim më të madh”, – tha Kallfani.

Sipas tij, në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.