Haradinaj-Stublla: Diplomacia e Kosovës do të shtyjë përpara axhendën e njohjeve

PRISHTINË, 21 shtator /ATSH/ Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), për shkak të krizës globale të krijuara nga pandemia COVID-19, sot do të shënojë “online” hapjen e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke lënë kështu në kujtesë, të paktën këtë vit, mënyrën tradicionale të mbledhjes së liderëve nga e gjithë bota, në selinë e saj në Nju Jork.

Me këtë rast, shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë një deklaratë publike duke njoftuar se përkundër pamundësisë për të marrë pjesë në margjinat e këtij sesioni, Republika e Kosovës do të angazhohet që edhe përmes takimeve virtuale të thellojë avancimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet e linjës së njëjtë politike brenda OKB-së.

“Edhe pse ende nuk është anëtare e kësaj organizate, Republika e Kosovës do të përkushtohet në avokimin e vlerave të përbashkëta të Kombeve të Bashkuara, zhvillimit të demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social, me fokus te kriza globale shëndetësore”, tha ajo.

Haradinaj-Stublla tha se diplomacia e Kosovës do të shtyjë përpara axhendën e njohjeve dhe synimeve strategjike e obligimeve të tjera që rrjedhin nga marrëveshja e Uashingtonit.

“Arritja e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë dhe gatishmëria e Kosovës për të lëvizur drejt marrëveshjes finale, që përfshinë njohjen reciproke brenda kufijve të 17 shkurtit 2008, si dhe lufta e vendosur përkrah aleatëve të koalicionit kundër DAESH, në luftën kundër terrorizimit ndërkombëtar, do të jenë synimet e delegacionit të Kosovës në takimet virtuale që do të kemi gjatë këtij sesion”, tha ajo. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.