Gjeografia e Sigurimeve/ Tirana kryeson me 59.63% të totalit të primeve bruto

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar statistikat vjetore të Gjeografisë së Sigurimeve që pasqyrojnë shpërndarjen e primeve bruto, dëmeve të paguara si edhe primit për frymë, sipas prefekturave.

 

Duke analizuar shpërndarjen gjeografike të primit të shkruar bruto, vërehet një përqendrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 59.63% të totalit të primeve  bruto, Durrësi me 7.51%, Fieri 5.29%, Shkodra 4.94%, Vlora 4.56%, Korça 4.72%. Kjo tendencë përqendrimi ka vijuar e tillë për një periudhë 12-vjeçare.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i tregut të sigurimeve është dendësia e sigurimeve. Për vitin 2019 ky tregues është rreth 6168 lekë për frymë, me një rritje rreth 275 lekë krahasuar me një vit më parë.

Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 11551 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 5962 lekë për frymë dhe më tej Durrësi me 4535 lekë për frymë, Shkodra me 4332 lekë për frymë dhe Vlora me 4234 lekë për frymë.

“Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2019 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 74.84%, e pasuar nga prefektura e Durrësit me 6.78%”, njofton AMF. e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.