Dita Ndërkombëtare e Paqes/ Meta citon Nënë Terezën: Paqja mund të arrihet edhe me një buzëqeshje

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Sot në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Presidenti Ilir Meta ka cituar Shenjtoren Nënë Tereza, e cila ka thënë se paqja, mund të arrihet edhe me një buzëqeshje.

Por, ka theksuar Meta, “historia na ka mësuar, se paqja e qëndrueshme kërkon sakrifica të panumërta, jo vetëm për ta fituar, por edhe për ta mbrojtur, dhe se ajo është e sigurtë kur liria dhe të drejtat e njeriut garantohen përmes shtetit ligjor”.

Gjithashtu, sot në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Meta ka sjellë në vëmendje disa nga mesazhet tepër frymëzuese të kardinalit Van Thuan, i cili është shprehur Meta, “kaloi 13 vjet në burgjet e komunizmit dhe gjithë jetën e Tij ia kushtoi Paqes, në funksion të së cilës i ka lënë njerëzimit dhe në veçanti politikës këto porosi, aktuale në çdo kohë”.

“Bekuar politikani, thellësisht i vetëdijshëm për rolin e vet! Bekuar politikani, që frymëzon besim; Bekuar politikani, që punon për të mirën e përbashkët e jo për interesin e vet; Bekuar politikani, që e kryen me besnikëri të patundur, detyrën e besuar; Bekuar politikani, që punon për unitetin; Bekuar politikani, që angazhohet për realizimin e ndryshimeve rrënjësore dhe refuzon të quajë të mirë atë që është e keqe; Bekuar politikani, që e dëgjon popullin para, gjatë dhe pas zgjedhjeve; Bekuar politikani, që nuk ka frikë nga e vërteta dhe nga media”, citoi Meta.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.