COVID-19/ Mjeku Kamberi: Në Francë klasat mbyllen kur ka mbi 3 nxënës të infektuar

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Teni Kamberi, mjeku shqiptar anestezist- reanimator që punon në Francë, gjatë një interviste televizive lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi COVID-19, në Francë tha se “numri i të prekurve me COVID është shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Franca është e ndarë me regjone e nga dita në ditë, po shtohen regjionet me ngjyrë të kuqe, që përfaqësojnë prekjen nga COVID-19”.

“Por vlen të theksohet, vijoi Kamberi, se me gjithë rastet e rënda spitalet nuk janë me mbi ngarkesë. Ndonëse mbetet për t’u parë vijueshmëria në të ardhmen”.

“Në Francë hapja e shkollave është bërë dy javë më përpara se në Shqipëri. Por për momentin më shumë është duke u bërë problem ulja e vigjilencës e daljet e tepërta nëpër klube, sepse të rinjtë filluan të tregohen të padurueshëm”- tha mjeku Kamberi.

Sipas tij, më shumë për momentin jemi duke u bazuar tek masa që klubet do të mbyllet më herët. Ndërsa tubimet grumbullimet në zonat e kuqe janë rreptësisht të ndaluar, me mbi 6 persona, dhe tashmë është bërë i detyrueshëm përdorimi i maskave dhe distancimi fizik mes njerëzve.

Ai tha se, “masat më të rrepta janë marrë kryesisht në zonat e kuqe. Çdo tubim është i ndaluar dhe njerëzit janë ndërgjegjësuar për mbajtjen e maskës dhe nëse nuk përdorin masë dënimi është 135 euro dhe kjo i ka disiplinuar njerëzit”.

Përsa i përket çështjeve të shkollave Kamberi theksoi se, “nga dje ministri i Arsimit mori masa të tjera, pas konsultimit me Këshillin Shkencor ku bëjnë pjesë mjekët me të shquar, duke ndryshuar masat e para ku nëse gjendej një nxënës pozitiv vendimi ishte të mbyllej klasa, por meqenëse mjekët kanë konstatur se transmetimi mes fëmijëve është shumë më i vogël atëherë kanë marrë vendimin e ri, që përcakton se nëse ka mbi tre nxënës të infektuar atëherë mbyllet klasa dhe bëhet karantinimi 7 ditë, jo 14 ditë si më parë dhe më pas rifillon mësimi”. /a.a/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.