Bypass-i i vogël i Beratit, rrugë tërësisht e re që lehtëson trafikun dhe iu kthen banorëve peizazhin e fshehur të lumit

TIRANË, 21 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një tjetër rrugë të re në qytetin e Beratit, e cila nuk ka ekzistuar më parë.

Rruga lidh me rrugën hyrëse të qytetit një pjesë të fshehur të lumit, që përmes saj u kthehet banorëve e vizitorëve, duke lehtësuar njëkohësisht trafikun, sidomos gjatë sezonit turistik.

Kryeministri u shpreh shumë i kënaqur me partneritetin perfekt me bashkinë e Beratit. Ndërkohë ai propozoi edhe ndërtimin e një mjedisi sportiv, që mund të jetë vlerë e shtuar për zonën.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo u shpreh se “tashmë Beratit i shtohen dy rrugë të reja dhe njhë parkim”.

“Kjo është rrugë komplet e re. Kemi ecur me hapa shumë të shpejt. Ka në qenë rrugë e sajuar, jo urbane, që tani i bashkëngjitet qytetit. Kjo ishte një zonë ku askush nuk mund të kalonte për të shijuar këtë pjesë të lumit. Ishte edhe një zonë ku grumbulloheshin mbetjet. Ne do të fillojmë një projekt ambicioz për të bërë një park të ri në këtë zonë të qytetit”, tha Demo.

Ai tha se “në krye të një viti do kemi një qytet që i shtohen dy rrugë të reja dhe një parkim”.

“Këtu jemi në bypass-in e vogël, një mit urban në Berat prej më shumë se 20 vitesh. Ky aks lë mënjanë tërësisht trafikun dhe tani po bëhet realitet. Rruga i ka të gjitha parametrat e një rruge urbane dhe urbanizon gjithë zonën. Këtu kemi një projekt shumë ambicioz”, tha Demo.

Demo tha se “kemi po ashtu edhe bypass-in e madh, ku u shpall fituesi”. “Të dy bypass-et zgjidhin 90% të asaj që quhet unaza e madhe e qytetit”, tha ai.

Në Berat janë një sërë projektesh ku po punohet paralelisht, njëra prej të cilave është ndërhyrja në zonën historike të Goricës. Po ashtu janë disa akse që kanë të bëjnë me turizmin e natyrës me rrugë që shkojnë në malin e Tomorit.

Të gjitha këto projekte po e kthejnë Beratin në epiqendër të turizmit kulturor dhe natyror. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.