Bylykbashi: Mosdakordësi të thellë sa i përket sistemit zgjedhor dhe garës së ndershme

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, “Opozita e Bashkuar nuk ka pse të propozojë një draft për kandidatët për deputetë, por i qëndron marrëveshjes në fuqi. Kemi një mosdakordësi të thellë sa i përket sistemit zgjedhor dhe garës zgjedhore të ndershme, çështja e koalicioneve zgjedhore”.

Në një intervistë televizive Bylykbashi theksoi se “koalicionet zgjedhore janë një traditë e politikës dhe zgjedhjeve shqiptare dhe kushtetuese që nga 1998. Pra ato janë një çështje organizimi politik, por edhe gare zgjedhore. Nga ana tjetër modeli i koalicionit që kemi ne është një traditë 17 vjeçare që ka funksionuar perfekt, është bërë me konsensus në vitin 2003 kur PS ishte në qeveri dhe PD në opozitë, në atë kohë komisioni i parë mbipartizan hoqi pikërisht atë sot Edi Rama kërkon të fusë në Komision Zgjedhor, listën e përbashkët të koalicioneve”.

Bylykbashi tha se “ajo që kërkojmë nesër është që i kemi bërë një kërkesë zyrtare me shkrim mazhorancës, Partisë Socialiste, që Këshilli Politik ti dërgojë një kërkesë të përbashkët ODIHR-it për ekspertizë e asistencë në lidhje me këtë çështje dhe këtë kërkesë e bëjmë mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit , e cila si mekanizëm kryesor të funksionimit dhe ekzistencës për Këshillin është konsensusi”.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka një pikë në rast se palët nuk bien dakord për çështje të caktuara i drejtohen OSBE-ODIHR për asistencë në mënyrë që të gjejmë zgjidhje të pranueshme.

“Duhet që zgjidhjet në fund fare të Këshillit Politik të jenë të pranueshme për palët dhe kur s’ka dakordësi ti drejtohemi ODIHR-it”, – tha ai.

Duke folur për draftin e hartuar nga PS-ja për listat e hapura, Bylykbashi u shpreh se “kandidatët më të votuar nga populli nuk futen dot në listë, nëse nuk kapin një numër të caktuar votash që është i lartë për t’u arritur”.

 

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.