Bujqësia dhe turizmi, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka kërkuar sot që “të kthejmë seriozisht vëmendjen nga bujqësia dhe turizmi, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Dibrës dhe të mbarë Shqipërisë”.

“Prodhimet bio dibrane janë shumë cilësore dhe të shëndetshme. Megjithatë fermerët duarartë të kësaj treve hasin vështirësi në shitjen e tyre prej mungesës së mbështetjes të shtetit, konkurrencës së padrejtë në treg, por edhe për shkak të pasojave të rënda të COVID-19 në ekonominë familjare e kombëtare”, është shprehur ai.

“Grantet, kreditë e buta, skemat konkrete për nxitjen e kultivimit të prodhimeve autoktone, shoqëruar me një marketing të zgjuar dhe efikas, do t’i jepnin frymëmarrje bujqësisë shqiptare duke rritur prodhimin vendas dhe eksportin e produkteve “Made in Albania””, ka theksuar Meta.

“Të kthejmë seriozisht vëmendjen nga bujqësia dhe turizmi, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Dibrës dhe të mbarë Shqipërisë. Kështu do të rikthejmë shpresën dhe do të ndalim shpopullimin e dhimbshëm të trevave me pasuri të shumta natyrore. Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!”, ka nënvizuar Meta.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.