BRUKSEL – BE: Angazhim i qartë nga MERCOSUR për qëndrueshmërinë e marrëveshjes tregtare

BRUKSEL, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Brukseli pret një angazhim të qartë nga vendet e MERCOSUR-it (Brazil, Argjentinë, Paraguaj, Uruguaj) për të siguruar që ata do të respektojnë komponentin e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëveshjes tregtare, e përfunduar në qershor 2019, por që ende nuk është nënshkruar, tha sot zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis.

“Një numër shtetesh anëtare dhe palë të interesuara po ngrejnë pyetje në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm në vendet e MERCOSUR, pranimin në Marrëveshjen e Parisit dhe shpyllëzimin, veçanërisht në Brazil”, tha ai pas një takimi me ministrat e Tregtisë së BE-së.

“Ne duhet t’i marrim seriozisht këto çështje dhe KE kërkon një angazhim të qartë nga vendet e MERCOSUR-it”, shtoi ai.

E përfunduar me bujë të madhe në verën e vitit 2019, pas 20 vitesh diskutime, marrëveshja tregtare e BE-së me vendet e MERCOSUR-it tashmë ka ngecur në vend.

Parlamentet austriake dhe hollandeze, të cilat duhet ta ratifikojnë atë si të gjitha parlamentet evropiane, e kanë refuzuar në formën e saj aktuale dhe Belgjika, Irlanda, Luksemburgu dhe Franca janë ngurruese./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.