1 vit nga tërmeti i 21 shtatorit/ Mbi 60 familje të Tiranës të strehuara në banesat e reja

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Një vit nga tërmeti i 21 shtatorit, 65 familje të bashkisë së Tiranës, banesat e të cilave u dëmtuan rëndë, janë sistemuar tashmë në shtëpitë e reja me kushte shumë herë më të mira se më parë.
Kryeministri Edi Rama solli sot dëshmi të vetë banorëve, të cilët tashmë janë sistemuar në banesat e reja.
“Sot 1 vit nga tërmeti i 21 shtatorit. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama.
Pasditja e 21 shtatorit nuk ishte aspak e zakontë. 25 lëkundje tërmeti të njëpasnjëshme shkundën nga themelet jo vetëm ndërtesa, por edhe fatet e e shumë familjeve, të cilat përveç panikut dhe frikës për jetën u përballën me rrënimin e çatisë që kishin mbi kokë. Humbja e shtëpisë ishte një goditje e rëndë për këto familje.

Një vit më pas gjithçka ka ndryshuar. Të gjitha familjet e prekura nga ai tërmet fatal janë strehuar në banesat e tyre të reja falë ndihmës së vyer të donatorëve që iu përgjigjën pa kursim thirrjes për ndihmë nga bashkia e Tiranës.

Sot 65 familje nga Baldushku, Farka, Petrela, Zall-Herri, Kashari, Ndroqi, Vaqarri, Zall Bastari, Bërzhita, Peza, Dajti e lagje të Tiranës urbane i gëzohen shtëpisë së tyre të re,
një ëndrre të bërë realitet.

Për familjen Poçi kjo është një lumturi shumë e madhe. “Kjo më mungonte vetëm shtëpia, ishte gjëja që unë nuk e realizoja dot”, tha pjesëtarja e kësaj familje.

Edhe familja Zela është akomoduar tashmë në banesën e re. “Kisha 17 vite aty. Aty rrita fëmijët e mi. Keq më erdhi shumë por tani u kompletuam”, tha pjesëtarja e kësaj familje.

Edhe anëtarja e familjes Lami tha se “mendoi se çdo gjë mori fund dhe po mendoja ku do strehohesha, ku do shkoj? “Mrekullia e Zotit. Zoti e hodhi tërmetin nga Zoti na erdhi dhe falë qeverisë e shtetit tonë banesa”, tha ajo.

Edhe për familjen Rrushi banesa e re ishte një ëndërr. “E kishim si ëndërr edhe kur erdhën ustallarët ne nuk e besonim”.

“3 ditë e 3 netë thosha o Zot është shtëpia ime apo është shtëpia e huaj. Jam shumë e gëzuar”, tha kryefamiljarja e familjes Neli.

“Kur hyra në dhomën time ishte krejt ndryshe nga ajo që kisha. Ishte një dhomë shumë e bukur”, tha vajza e familjes Aga.

Ndërkohë puna vijon me ritme të larta në kantieret e Rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.