RAMALLAH – Abbas refuzon presionin arab për dialog me SHBA-në

RAMALLAH, 20 shtator /ATSH-AA/ – Zëvendëskryetari i lëvizjes ”Fatah”, Mahmoud al-Aloul tha se presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas është përballur me presion nga vendet arabe dhe qarqet ndërkombëtare për të biseduar me qeverinë e SHBA-së, por që Abbas i ka refuzuar.

Në një deklaratë në televizionin shtetëror të Palestinës, Aloul tha se “presidenti Abbas po përballet me një presion të pashembullt nga vëllezërit arabë dhe qarqet ndërkombëtare për të biseduar me qeverinë amerikane dhe që të marrë të ardhurat doganore që ka ndërprerë Izraeli, por ai nuk e pranon këtë”.

“Në këtë fazë Palestina preferon që t’i bëjë ballë sfidës. Të gjithë e dinë shumë mirë se ata duan të likuidojnë kauzën palestineze. Administrata palestineze nuk do të kthehet kurrë në situatën para se të ndalonte koordinimin me Izraelin”, tha Aloul.

Pas vendimit të marrë për aneksimin e disa zonave nga territoret e Bregut Perëndimor nën okupim, Abbas më 19 maj bëri të ditur se është tërhequr nga të gjitha marrëveshjet dhe protokollet e nënshkruara me Izraelin dhe SHBA-në./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.