Kompleks modern banimi me 524 apartamente, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë të standardeve europiane në Laç

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte sot në Laç, Kurbin, në kantierin e ndërtimit të lagjes së re, një kompleks modern banimi me 524 apartamente, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë të standardeve europiane.

Ahmetaj theksoi se “në mars parashikohet përfundimi Zonës 1 të banimit brenda projektit dhe në 3-4 muajt e tjerë edhe Zona 2, të cilat do t’i japin jo vetëm zgjidhje optimale hallit të familjeve që humbën shtëpinë e vjetër, por edhe një shëmbëlltyrë të re Laçit që duam, me një sens të ri zhvillimi urban, ekonomik e social”.

“Jemi në zonën e Laçit ku qeveria turke po ndërton 524 apartamente. Jemi në një fazë shumë të avancuar të punimeve. Këtu kompania ka hyrë thellë në themele dhe për shkak të gjeologjisë së tokës do të futen thellë 2 mijë pilota për të siguruar bazamentin. Cilësia e punimeve dhe shpejtësia e punimeve është realisht shembull”, tha Ahmetaj.

Ministri falënderoi edhe njëherë qeverinë turke për mbajtjen e angazhimit dhe seriozitetit të kompanisë në punën e përditshme.

Ai garantoi qytetarët e Laçit në emër të qeverisë dhe në emër të Kryeministrit, se “në mars një nga sitet do të jetë gati. “Pra gjysma e apartamenteve do të jetë gati dhe ndërkohë pjesa tjetër që është siti i dytë në po të njëjtin projekt do të jetë gati për 3-4 muaj, pas përfundimit të fazës së parë”, tha ai.

Ahmetaj falënderoi edhe kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara e cila sipas tij, “i ri në kokë punimeve përditë me merakun e madh për qytetarët e Laçit që kanë humbur shtëpitë dhe me padurim presin të vijnë në këtë kompleks modern banesash, ku janë 400 parkime mbitokësore, 524 apartamente dhe një qendër komerciale”. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.