Java Europiane e Lëvizshmërisë në Durrës

TIRANË, 20 shtator /ATSH – I. Vata/- Për të katërtin vit radhazi, Bicycle Durrës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, Bicycle Mayor i Durrësit dhe Qendrën Durrësi Aktiv organizuan një pedalim në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë 2020.

Në këtë pedalim morën pjesë edhe nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri dhe punonjës të tjerë të bashkisë së Durrësit.

Java e Lëvizshmërisë e cila zhvillohet çdo vit nga data 16 deri më 22 Shtator nxit bashkitë, bizneset, individët dhe organizatat e ndryshme të qyteteve Evropiane (përfshirë dhe Shqipërinë) të prezantojnë dhe promovojnë ndërmarrjen e një sërë masave për të realizuar një transport sa më të qëndrueshëm duke ftuar të gjithë qytetarët që të përdorin mjetet alternative të transportit për të lëvizur në hapësirat urbane.

Tema e këtij viti është: “Lëvizshmëria me zero emetime të CO2 për të gjithë”.

Qëllimi i pedalimit është të vëre në qendër të vëmendjes rëndësinë e transportit me emetime zero dhe të frymëzojë njerëzit dhe autoritetet vendore të ndërmarrin hapa të rëndësishme për një kontinent me zero emetime të CO2 deri në vitin 2050.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.