Fabrika e peshkut derdh mbetjet në kanalin kullues në Lushnje/Braçe: Kallëzim penal ndaj firmës

TIRANË, 20 shtator /ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka denoncuar sot rastin e një firme private të peshkut e cila i derdh mbetjet në kanalin kullues në Njësinë Administrative Golem, Lushnjë.

Braçe e konsideron veprimin si krim mjedisor dhe kërkon marrjen e masave penale ndaj firmës pasi është gjobitur nga IKMT.

“Fitimi i pistë. Seria e dytë. Kapitalisti lushnjar kundër interesit publik, banorëve, duke konsumuar një krim mjedisor të pashembullt. Ky krim mjedisor po konsumohet në fshatin Allprenaj, Njësia administrative Golem/Lushnjë”, shprehet ai.

Braçe vë në dukje se “të gjitha mbetjet pas përpunimit të peshkut, ujërat, i derdh në kanalet kulluese e vaditëse te fshatit. Banorët të cilëve po u nxihet jeta nga ndotja në tokë e ndotja në ajër që të fitojnë lekë këta kapitalistet me nam, kanë ditë që protestojnë. Policia e Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, ndërhyri dy javë më parë edhe pse pronari i madh mbylli dyert. U gjobit. Por dy javë më pas vijon të bëj të njëjtin krim, ndot masivisht kanalet e fshatit. Bën edhe më shumë, mbush këtë autobotin dhe ndot edhe me shumë ambientin pak mbi fshat”.

Braçe i kërkon bashkisë Lushnje të bëjë kallëzim penal ndaj firmës.

“Tani nuk ka më vlerë gjoba. Radha është e kallëzimit penal për këtë krim dhe mbyllje të këtij aktiviteti derisa të plotësoj kushtet mjedisore të trajtimit të mbetjeve. Ndaj, bashkia Lushnjë të tundet e të bëj punën, policia dhe IKMT të rikthehen në fshatin Allprenaj e të vijojnë me konstatimin dhe kallëzimin e krimit. Historia sipas së cilës ca individë bëjnë lekë e ca të tjerëve ju nxihet jeta, duhet te marre fund”, thekson Braçe./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.