Dibër/Meta vlerëson Elez Isuf Ndreu me Dekoratën e Flamurit Kombëtar

TIRANË, 20 shtator /ATSH – I. Vata/- Në vlerësim dhe mirënjohje për gjithçka i dha çështjes shqiptare, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Elez Isuf Ndreun, pikërisht në Dibër, vendin e origjinës së tij, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.

“Elez Isuf Ndreu, prijësi legjendar i dibranëve dhe shqiptarëve, i cili luftoi kundër të gjithë pushtuesve të Shqipërisë që njohu gjatë jetës së tij, është nga burrat e mëdhenj të Dibrës e kombit tonë, që siç thotë populli: “Kjo Shqipëri ka njohur burra që nuk njohin dy flamura”, shprehet ai.

Po ashtu Meta shton se “përherë në ballë të betejave për Pavarësinë dhe Lirinë, moscopëtimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin kombëtar, ai dha një kontribut të spikatur në mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ndaj nuk mund të mos përulesh me respekt para veprës dhe jetës së Tij sa herë viziton Peshkopinë”.

“Në vlerësim dhe mirënjohje për gjithçka i dha çështjes shqiptare, pata kënaqësinë ta vlerësoja Elez Isuf Ndreun, pikërisht në Dibër, vendin e origjinës së tij, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës. Të mësojmë nga gabimet që kemi bërë këto 100 vite, ta ruajmë e ta forcojmë shtetin shqiptar, gjithmonë gati kundër çdo kërcënimi të jashtëm dhe të brendshëm. Krenarë për të parët tanë mund të jemi vetëm nëse ecim në gjurmët e tyre, syçelët në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë dhe Sovranitetit të Atdheut dhe Popullit tonë”, tha Meta.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.