“Zgjedhorja”- Listat e hapura sipas modelit nga disa vende demokratike/ Opozita të japë alternativa, ta harrojë se do pengojë procesin

TIRANË, 19 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive nga Gjermania ku po zhvillon një vizitë pune u shpreh se, opozita jashtëparlamentare të mos humbasë kohë dhe ta harrojë pengimin e procesit, pasi mazhoranca nuk do t’i presë në pafundësi.

I pyetur për propozimin e bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri për listat e hapura Rama tha se, “propozimi nuk është asnjë shpikje, propozimi i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike që përdorin listat e hapura, çdo propozim është i diskutueshëm”.

“Unë uroj dhe shpresoj që opozita jashtëparlamentare të mos humbasi kohë siç e ka zakon sepse koha nuk pret, zgjedhjet janë në 25 prill, votimi i ligjit zgjedhor është vetëm hapja e një procesi ku pastaj do duhet të zbatohet ligji zgjedhor. Të mos harrojmë që me ligjin zgjedhor kemi dhe angazhimin për sistemin e identifikimit elektronik dhe sa më shumë humbitet kohë, aq më pak bëhet i mundur implementimi i këtij sistemi dhe edhe një herë e përsëris, opozita është e mirëpritur të diskutojë, të japë alternativa por që të pengojë procesin siç e ka zakon, duhet ta harrojë një orë e më parë sepse nuk ka kohë për të pritur e sigurisht ne nuk do të presim në pafundësi”,- theksoi Kryeministri Rama. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.